Tetë orë në tavolinë, dy orë në telefon dhe pak lëvizje. Kjo është dita e shumë prej nesh – dhe trupi e ndjen. Supet rrumbullakosen, koka shtyhet përpara dhe shpina e sipërme kërruset. Lajmi i mirë: postura mund të përmirësohet me pak minuta ushtrime në ditë.
Pse prishet postura
Kur rrimë gjatë në të njëjtin pozicion, disa muskuj shkurtohen dhe ngurtësohen (gjoksi, fleksorët e ijeve), ndërsa të tjerë dobësohen (shpina e sipërme, gluteusët, muskujt e thellë të qafës). Me kohë, trupi “mëson” këtë qëndrim si normal. Qëllimi i ushtrimeve është të zgjasim atë që është shkurtuar dhe të forcojmë atë që është dobësuar.
6 ushtrime për çdo ditë
1. Chin tuck (tërheqja e mjekrës)
Ulur ose në këmbë, tërhiqeni mjekrën drejt mbrapa sikur të bëni “gushë të dyfishtë”. Mbajeni 5 sekonda. 10 përsëritje. Forcon muskujt e thellë të qafës.
2. Wall angels
Me shpinë pas murit, ngrini krahët në formë “W” dhe rrëshqitini lart e poshtë duke mbajtur bërrylat dhe kyçet pranë murit. 10–12 përsëritje.
3. Hapja e gjoksit në derë
Vendosni parakrahët në kornizën e derës dhe hidhni një hap përpara. Mbajeni 30 sekonda. Zgjat muskujt e gjoksit.
4. Rrema me kabllo ose llastik
Tërhiqni drejt vetes duke bashkuar tehet e shpatullave. 3 seri me 12–15 përsëritje. Forcon shpinën e sipërme.
5. Glute bridge
Shtrirë në shpinë, ngrini legenin duke shtrënguar gluteusët. 3 seri me 12 përsëritje. Gluteusë të fortë = më pak ngarkesë mbi shpinën e poshtme.
6. Shtrirja e fleksorëve të ijes
Në pozicion lunge me gju në tokë, shtyni legenin lehtë përpara. 30 sekonda për secilën anë.
Zakonet që bëjnë diferencën
- Ngrihuni dhe lëvizni çdo 45–60 minuta.
- Monitorin vendoseni në lartësinë e syve.
- Telefonin ngriheni para syve, jo kokën poshtë telefonit.
- Stërvitni shpinën aq sa stërvitni gjoksin.
Nëse dhimbja është e fortë ose e vazhdueshme, konsultohuni me mjekun. Për një program të strukturuar, njihuni me shërbimin tonë të posturës dhe rehabilitimit në Durrës.




